Situata e përmbytjeve në 48 orët e fundit vazhdon të mbetet kritike në disa njësi administrative të bashkisë Durrës dhe Shijak, veçanërisht në zonat të cilat janë në afërsi të lumit Erzen, i cili ka dalë nga shtrati. Deri më tani rezultojnë rreth 50 banesa vetëm në zonën e Shijakut dhe Katundin e Ri që janë përmbytur.

Paçka se situata u duk optimiste ditën e sotme për shkak të rënies së nivelit të prurjeve, duket se përkeqësimi ka nisur pasditen e sotme ku zona si Vadardhë, Sukth, Katund I Ri janë prekur sërisht nga prurjet të cilat kanë rrezikuar banesat.

Kreu i PD Durrës, Ferdinand Xhaferraj, ka vëzhguar nga afër situatën mbrëmjen e sotme dhe e ka quajtur papërgjegjshmëri dhe arrogancë qeveritare atë çfarë po ndodh me banorët e këtyre zonave.

“Nuk po përmbyt më natyra. Tani po përmbyt qeveria. Situatën e dhimbshme, papërgjegjshmëria e qeverise po e bën edhe më të dhimbshme. Duket shumë qartë që është arroganca e qeverisë që po përmbyt”,– tha Xhaferraj.

Që prej 48 orësh, situata vazhdon të mbetet kritike për banorët, shtëpitë e të cilëve janë nën ujë.