Deputeti i PD-së, Osman Metalla dhe ai i LSI-së, Lefter Koka iniciojnë ndryshime në dy pikat më të rëndësishme të moratoriumit për skafet. Amendamenti parashikon lejimin e lundrimit të jahteve dhe anijeve me vela. Zbutja e moratoriumit do të ishte hapi i parë drejt shfuqizimit të plotë të tij

Deputetët e Durrësit Osman Metalla dhe Lefter Koka janë bërë promotorë të zbutjes së moratoriumit për skafet, gjë që do të thotë që mund të çelet drita jeshile për disa lloje lundrimesh. Më konkretisht, amendamenti i paraqitur nga deputeti i PD-së, Osman Metalla, ai i LSI-së, Lefter Koka, si dhe deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri parashikon lejimin e lundrimeve për jahtet dhe anijet me vela. Në prononcimet e tyre ekskluzive për gazetën “Dyrrah”, deputetët durrsakë, Metalla dhe Koka, kanë shpjeguar arsyet se pse kanë kërkuar përmes amendamenteve zbutjen e moratoriumit për skafet. Sipas deputetit të LSI-së, Lefter Koka: “Zbutja e memorandumit po realizohet në kohën e duhur jo vetëm për faktin se tashmë Shqipëria është një vend që ka minimizuar trafiqet përmes detit dhe ka faktorizuar liberalizimin e vizave, por dhe se jemi në prag të sezonit turistik”. Po sipas deputetit të LSI-së,- “miratimi i këtij amendamenti do të thotë një mundësi më shumë për turizmin bregdetar që tashmë është në fazën e lulëzimit, si përsa i përket anijeve me vela ashtu dhe jahteve turistike”. Duke ju referuar Durrësit, Koka ka deklaruar: “Qyteti bregdetar do të jetë një nga përfituesit kryesorë nga zbutja e moratoriumit, pasi dhe resurset turistike, ekonomike dhe strategjike në këtë qytet janë të mëdha”. Koka ka shtuar se prezantimi i këtij amendamenti ka ardhur pas kontakteve të shumta që ka pasur me njerëz dhe përfaqësues të biznesit turistik, të cilët e kanë parë të domosdoshëm shfrytëzimin e këtyre resurseve të rëndësishme turistike siç janë anijet me vela dhe jahtet. Në të njëjtën kohë deputeti durrsak ka nënvizuar se,- “pas zbutjes së moratoriumit të skafeve, në një kohë të përshtatshme, do të bëhet i mundur shfuqizimi total i tij”. 

Ndërkohë deputeti i PD-së, Osman Metalla, ka deklaruar se,- “amendimet përfshijnë heqjen e moratoriumit vetëm për mjetet veliere dhe jahtet duke i dhënë një frymëmarrje të rëndësishme turizmit elitar detar. Kështu, do të vazhdojë të funksionojë moratoriumi përsa i përket mjeteve me shpejtësi të lartë, që mund të bëhen një precedent për trafiqe të jashtëligjshme”. Duke komentuar çështjen se pse moratoriumi nuk u shfuqizua totalisht, Metalla ka deklaruar: “Përsa i përket mjeteve të shpejtësive të mëdha të cilat janë një precedent për trafiqe dhe mund të disponohen në mënyrë të paregjistruar dhe të paligjshme nga bota e krimit, funksionimi i moratoriumit është i domosdoshëm”. Metalla ka reaguar edhe ndaj qëndrimeve të opozitës, e cila sipas tij,- “u përpoq ta përdorte për qëllime politike këtë çështje, ndryshe nga mazhoranca që kërkon ruajtjen e vendit nga trafiqet e jashtëligjshme nga njëra anë, por dhe përdorimin e resurseve turistike nga ana tjetër”. Pas komisionit të ligjeve amendamentet do të kalojnë në Parlament, ku do të zbutet sipas të gjitha gjasave moratoriumi për skafet. Pas shtatë muajsh kundërshti, për heqjen e Ligjit të Moratoriumit, mazhoranca duket se zbuti qëndrimin për këtë çështje.

Nisma e marrë nga mazhoranca vjen pak kohë pas rrëzimit që ju bë një nisme ligjore të opozitës, e cila kërkonte shfuqizimin e plotë të memorandumit, i cili konsiderohej bllokues për turizmin. Vetëm një javë më parë në lidhje me këtë çështje reaguan edhe kryetarët socialistë të bashkive në vend, të cilët gjithashtu kërkuan shfuqizimin e këtij ligji. Në lidhje me këtë çështje u prononcua gjatë një takimi me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, edhe ambasadori italian në Shqipëri Massimo Gaiani. Sipas tij,- “moratoriumi i skafeve u vendos në një periudhë të caktuar kohore dhe bllokoi trafiqet që rrezikonin jetën e njerëzve në skafe. Vendosja e moratoriumit rezultoi një proçes i suksesshëm. Duke ju referuar qëndrimit të deritanishëm të qeverisë shqiptare ambasadori italian Massimo Gaiani u shpreh se,- “autoritetet shqiptare mendojnë që ja vlen barra qeranë për këtë moratorium, për t’u bllokuar trafiku i drogës. Italia ështe dakord me këtë vlerësim të palës shqiptare, sepse kemi të bëjmë me kundërshtim të trafiqeve të paligjshme. Me sa duket,  aktualisht, kjo masë mund të jetë me të vërtetë e domosdoshme”.