Mbyllet në Durrës procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të PD-së.

Dyert janë mbyllur në orën e parashikuar, në 19:00, dhe ky proces kaloi i qetë e pa u shënuar asnjë incident.

Në qarkun Durrës, sipas të dhënave të PD-së, deri në orën 18:00 kanë votuar 2767 votues nga 7966 anëtarë gjithsej.

Pjesëmarrja ka qenë e ulët, ndërkohë që ashtu siç pritej, asnjë prej kritikëve të Bashës në qytetin bregdetar, nuk ka marrë pjesë sot në votim.

Zgjedhja e kryetarit zhvillohet në bazë të parimit një anëtar një votë dhe mbahen pas një fushate intensive që kanë kryer kandidatët Lulzim Basha dhe Eduard Selami, në çdo degë të PD-së në gjithë vendin.

Në zgjedhjet e 2013-s, në garën midis Bashës dhe Sokol Olldashit, numri i demokratëve në Durrës që morën pjesë në votim ishte 1200. Në total janë 5200 demokratë në nivel rrethi, 2900 prej të cilëve në bashkinë Durrës, të regjistuar si anëtarë të PD-së.