Në një dalje për media, pak orë para protestës se opozitës, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se qytetarët shqiptarë do të dalin në shesh për të dhënë një mesazh shumë të madh, “se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë”.

Vasili tha se Rama po luan me zjarrin ku do digjet vetë, pasi sipas tij, po shkel dhe po dhunon në mënyrën flagrante ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

DEKLARATA E PLOTË

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

Sot jemi në vigjiljen e protestës mbarë kombëtare të të gjithë qytetarëve shqiptarë në orën 8, pikërisht për të dhënë një mesazh shumë të madh. Përpara të gjitha të tjerave të nderuar qytetarë doja të ndaja me ju mesazhin ligjor dhe kushtetues që zgjedhje më 30 qershor nuk ka.

Edi Rama po luan me zjarrin ku do digjet vetë, pasi po shkel dhe po dhunon në mënyrë flagrante ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Sot shqiptarët njohin akoma më mirë se dje, falë publikimeve shokuese dhe tronditëse të Bild-it, me emër dhe mbiemër ata që vodhën zgjedhjet. Shqiptarët njohin me emër dhe me mbiemër ata që qeverisen nga krim, i cili i vë në rresht kryeministrin dhe qeveritarët e tij.

Njohin me emër dhe me mbiemër ata që i kanë dhënë krimit paratë e shqiptarëve dhe tenderat si shpërblim për grabitjen e votës e pushtetit të popullit. Njohin me emër dhe mbiemër ata që e kanë bërë policinë një polici votash dhe zgjatim të krimit.

Njohin me emër dhe me mbiemër ata që i raportojnë krimit si të jenë ushtarë të tij. Njohin me emër dhe me mbiemër ata, kryeministër e qeveritarë që flasin me gjuhën vulgare të kriminelëve të rrugës.

Populli është i tëri në këmbë si një shumicë dërrmuese absolute, që flet vetë me fuqinë e tij të pamatshme dhe me të mesazhin e qartë dhe paqësor të votës së lirë për një Shqipëri pa kriminelë.

Edi Rama është njeriu i dhunës, njeriu që dhunon zgjedhjet, njeriu që fshihet pas dhunës së policisë, që dhunon ligjin, njeriu që dhunon verbalisht të gjithë qytetarët. Pra, Edi Rama është njeriu që gjallon përmes dhunës dhe ne e dënojmë ashpër dhunën që Edi Rama kërkon të instalojë në këtë vend.

Qytetarët sot , të rinj e të reja, burra e gra me familjet e tyre, të moshuar e të moshuara do të jenë më mijëra sot në shesh për të treguar se do të mbrojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e tyre që ato të mos sakrifikohen thjesht dhe vetëm për fatin personal të Edi Ramës. Do të jenë me mijëra për të treguar se koha e antishtetit dhe anti-ligjit të Edi Ramës dhe Rilindjes ka mbaruar . për të treguar se koha e kriminelëve që qeverisin shtetin ka mbaruar. Për të treguar se koha e hajdutëve dhe grabitqarëve që rrëmbejnë miliona me koncesione ka mbaruar.

Sot do te jenë më mijëra për të treguar se koha e Edi Ramës ka mbaruar përfundimisht. Të gjithë sot në shesh do të jenë atje me fuqinë e paqes dhe të demonstrimit paqësor përballë dhunës shtetërore. Sot është koha e shqiptarëve, sot është dita që Shqipëria të marrë frymë lirisht, sot është dita e triumfit të ligjit dhe vlerave.

Sot është dita që vendos përfundimisht që zgjedhjet janë të qytetarëve dhe jo të qeverisë dhe të Rilindjes. Pasi siç thotë i madhi Abraham Lincoln, zgjedhjet janë të qytetarëve, janë vendim i tyre. Sot është dita kur njerëzit me mijëra si asnjëherë më parë në një dimension njerëzor e qytetar madhështor do të flasin me gjuhën e tyre shumë të fortë të mesazhit dhe paqes kundër dhunës së Edi Ramës.