Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, nëse Këshilli Evropian nuk çel negociatat për anëtarësim në BE.

Ndryshe nga homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili e konfirmoi se shteti i tij do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në rast mos-hapje negociatash, Rama tha se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur me Shqipërinë, pasi janë dy kontekste të ndryshme.

Deklarata e Ramës:

Maqedonia e Veriut ka ndryshuar emrin dhe ka bërë diçka që e kanë kërkuar ata, ka bërë një sakrificë për ata, dhe duke bërë këtë sakrificë kryeministri i ka kërkuar popullit të vetë të dalë në referendum. Jemi në kontekste të ndryshme.

Jemi në një kontekst krejt tjetër, jo vetëm që nuk do shkojmë në zgjedhje të parakohshme por ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë që kemi bërë, datën 19 dielli lind përsëri. Shqipëria nuk ka pse shkon në zgjedhje të parakohshme se nuk i ka lënë gjë mangut këtij procesi. Nëse zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri do të zgjidhnin problemin mes Gjermanisë dhe Francës, do ta bënim.