Treguesit kryesorë të buxhetit për periudhën 7-mujore paraqiten të zhbalancuara për arsye se, shpenzimet u rriten me ritme më të shpejta se të ardhurat.

Por, shpenzimet për investime u përkeqësuan në raport me një vit më parë dhe arka e shtetit rezulton me deficit mbi 6 miliardë lekë, teksa në janar-korrik 2018 ishte suficitare mbi 2.4 miliardë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shpenzimet buxhetore u rriten me 7% në periudhën 7 mujore. Këto ritme ishim më të larta se ritmi i rritjes të ardhurave me 3.8 për qind, duke ndikuar në zgjerimin e deficitit buxhetor ne terma vjetorë, nxitur nga disa zëra që u ndikuan nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Sipas zërave kryesore të shpenzimeve u pa një rritje me 9 për qind e shpenzimeve koherentë dhe një ulje me 5% e shpenzimeve kapitale.

Në shpenzimet korente rritjen më të e madhe e kishin shpenzimet për zërin e pagave me 4 % të nxitura nga indeksimet që u bënë në disa sektorë të administratës publike para zgjedhjeve lokale.

Shpenzimet për personelin dhe pagat në këtë 7 mujor ishin 3,5 miliardë lekë më te larta (ose 30 milionë euro) se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Rritje më ritme të larta shënuan edhe shpenzimet operative dhe mirëmbajtje. Për periudhën janar-korrik 2019 ato arritën në 25,4 miliardë lekë, rreth 3,3 miliardë lekë më shumë ose 15% më të larta se një vit më parë. Këto shpenzimet u nxiten nga rikonstruksionet dhe riparime në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Zgjedhjet kanë nxitur gjithashtu edhe shpenzimet për pushtetin lokal, të cilat pësuan rritje me 15 % në raport me vitin e kaluar. Pushteti vendor shpenzoi mbi 34.8 miliardë lekë në këtë periudhë nga 30.4 vitin e kaluar.

Rritje u evidentua edhe në shpenzimet për mbrojtjen sociale me 6%, ku pjesa e madhe ka shkuar për mbulimin e deficitit të skemës së pensioneve. Qeveria shpenzoi këtë vit 4.2 miliardë lekë ose 6 % më shume se vitin e kaluar nga taksat e shqiptarëve për të paguar pensionet që nuk u mbuluan dot nga të ardhurat e sigurimeve.

Por teksa shihet se shpenzimet në total janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në raport me ecurinë e katër viteve të fundit shihet se, shpenzimet për investime që sjellin edhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend janë zëri i vetëm që kanë pësuar rënie.

Gjatë 7 mujorit për investimet kapitale u alokuan 33.8 miliardë lekë ose 1.76 miliardë lekë më pak se një vit më parë. Rënia e shpenzimeve në këtë zë ishte 5%. /Monitor