Kutitë e votimit për zgjedhjet brenda Partisë Socialiste në Durrës, janë hapur prej mëngjesit të sotëm në një klimë interesi të madh nga anëtarësia e majtë. Deri në orën 13:30 pjesëmarrja në votime ka qenë mbi 50% e 4500 anëtarëve socialistë që votojnë për 30 delegatët e kongresit, 15 meshkuj e 15 femra.

Procesi i votimit pritet të mbyllet në orën 16:00, ndërsa asnjë prej socialistëve nuk ka patur të drejtë të prononcohet në media.

30 delegatët e përzgjedhur nga anëtarësia socialiste për në kongresin e PS-së, do të kenë mundësi që të zgjedhin kryetarin e PSSH-së, megjithëse Edi Rama nuk i ka hapur zgjedhjet brenda partisë. Zgjedhjet brenda partisë janë hapur verëm për krerët e degëve lokale që pritet të mbyllen deri në mes të muajit dhjetor.

Ristrukturimi i brendshëm i partisë finalizohet me zgjedhjen e kryetarëve të PS-së në rrethe. Në Durrës të drejtën e votës për të zgjedhur kreun e PS-së e kanë rreth 400 socialistë, midis tyre të zgjedhurit nga kongresi, të zgjedhurit e Asamblesë, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe deputetët e qarkut.

Janë rreth 400 socialistë të këtyre strukturave që në zgjedhjet e pas pak javëve do të votojnë për kreun e ri të PS-së. Në garë janë kreu aktual Luan Zaza dhe Ardit Kërtusha. Organizatat socialiste në Durrës në masë të madhe deri tani kanë propozuar kreun aktual Luan Zaza, ndërsa vetëm 3 organizata kanë propozuar Ardit Kërtushën.

K.H.