416 anije dhe 724 tragete janë përpunuar gjatë periudhës janar – gusht të këtij viti në portin e Durrësit, bëhet e ditur nga sektori i Statistikave në Autoritetin Portual, ndërsa mësohet se volumi i mallrave të përpunuara e ka tejkaluar me 14 për qind volumin e mallrave që janë përpunuar në të njëjtën periudhë të vitit 2018. 

Në këto tetë muaj në kalatat e katër Terminaleve portualë janë përpunuar 2,757,609 tonë mallra gjithsej, ose rreth 333 mijë tonë më shumë se sa vitin e kaluar. Sipas statistikave portuale, pjesa më e madhe, mbi 2.15 milionë tonë mallra janë përpunuar nga anije tregtare që kanë mbërritur ose janë nisur të ngarkuar me mallra në portin më të madh të vendit. 

Shifra është 16 për qind më e lartë se sa ajo e janar-gushtit 2018, shtuan burimet, sipas të cilave volumi i mallrave të përpunuara nga tragetet arrin në afro 600 mijë tonë, ose 5 për qind më shumë se sa vjet.