Katër anije me grurë do të përpunohen brenda kësaj jave në kalatat e portit të Durrësit. Dy prej tyre po përpunohen aktualisht në kalatat 4 dhe 5, ndërsa dy të tjera janë programuar të ankorohen në port brenda kësaj jave. Nga Sektori i Statistikave, mësohet se volumet e grurit të përpunuar që nga fillimi i këtij viti janë më të ulta se sa gjatë së njejtës periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Qendrës së Informacionit në APD, në kalatat 4 dhe 5 vazhdojnë në përpunohen anijet “Altair” dhe “Sea Trader”, nga të cilat po shkarkohen përkatësisht 3297 dhe 5005 ton grurë. Ndërkohë priten edhe anijet “Ulus Breeze” me 3005 ton dhe “Viktor Borisov” me 3399 ton, gjithmonë grurë.

Gjatë 7 muajve të parë të këtij viti në portin më të madh të vendit janë shkarkuar mbi 66 mijë ton grurë, një shifër afro 17 përqind më e ulët se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Që nga viti 2015 sasia e grurit të importuar nëpërmjet portit të Durrësit ka pësuar një rënie graduale të lehtë.