Gjatë dy dekadave të fundit në portin e Durrësit janë realizuar mjaft investime të rëndësishme, veçanërisht në infrastrukturë.

Pas grantit të vitit 1998 në kuadër të Programit PHARE, që mundësoi rikonstruksionin e kalatës 9 për akostimin e trageteve, në portin më të madh të vendit janë zbatuar një sërë projektesh që shërbyen për progresin dhe modernizimin e tij.

Investimet e këtyre 20 viteve janë zbatuar kryesisht me financime në formë kredie nga Banka të ndryshme, si Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Botërore (BB).

Kjo e fundit në periudhën 1999 – 2003 ka financuar me kredi projektet e Rehabilitimit të Kalatave 5 dhe 6; ndërtimin e murit dallgëthyes në anën perëndimore të portit; rikonstruksionin e magazinave si dhe rrugën hyrëse të portit.

Shifra e përgjithshme e këtyre investimeve nga Banka Botërore arrin në afro 13 milion USD.

Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim që nga viti 2006 kanë financuar një kredi të përgjithshme prej 23,5 milion Euro për ndërtimin e Terminalit të Trageteve, si dhe për rikonstruksionin e kalatave 7 – 8.

Thuajse në të njejtën periudhë, Banka Europiane e Investimeve financoi me kredi edhe realizimin e projektit të shesheve pas kalatave nga 1 – 7, si dhe të sheshit pas kalatës 11. Vlera e përgjithshme e këtyre projekteve arrin në 16 milion euro.

Aktualisht në portin e Durrësit, me financim të vetë Autoritetit Portual, po zbatohet projekti i thellimit të basenit dhe kanalit hyrës të tij, projekt i cili synon hyrje – daljen dhë përpunimin e anijeve me gjatësi mbi 20 mijë ton dhe me mbi 1,000 konteinerë.