Gjatë stinës së verës së këtij viti numri i udhëtarëve dhe autoveturave që kanë shfrytëzuar tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim ka mbetur thuajse në të njëjtat shifra me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga burimet e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se në muajt korrik-gusht kanë lundruar me tragete në hyrje dhe dalje nga porti i Durrësit 384.438 udhëtarë, ose rreth 4.500 udhëtarë më pak se sa në periudhën korrik-gusht 2018. 

Ndërkaq, numri i autoveturave në dy muaj ka arritur në 89.906 njësi, ose afro 900 autovetura më shumë se sa gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2017.

Tragetet e linjave nga Durrësi kanë realizuar gjatë muajve të verës 239 lundrime gjithsej, ose 7 lundrime më shumë se sa në muajt korrik-gusht të vitit të kaluar.

Numri i udhëtarëve me tragete gjatë sezonit veror rritet ndjeshëm për shkak të bashkatdhetarëve që kthehen për pushime, si dhe të turistëve që vizitojnë vendin tonë.