Kroçera “Gemini” me 670 turistë nga Turqia në bord ka mbërritur sot paradite në Durrës për të dytën herë që nga fillimi i muajit korrik.

Anija turistike është ankoruar rreth orës 11.00 në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se kroçera “Gemini” me gjatësi 164 metra dhe flamur Bahamas ishte nisur mbrëmjen e kaluar nga një prej ishujve të Greqisë dhe do të qëndrojë e ankoruar në Durrës deri në orën 20.00, kur parashikohet të niset drejt Kotorrit (Mali i Zi).

Gjatë orëve të qëndrimit në vendin tonë, grupet e turistëve do të vizitojnë qendrat muzeale dhe arkeologjike në qytetet e Durrësit, Krujës, Tiranës dhe Beratit.