377 turistë të huaj, shumica e të cilëve nga Franca, kanë mbërritur në Durrës me kroçerën “Berlin”. Anija turistike me gjatësi 139 metra u ankorua sot paradite pa probleme në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.

Nga agjencia pritëse Intermed Shipping, mësohet se anija turistike ka sjellë turistë nga 18 vende të ndryshme të botës. 328 prej tyre vijnë nga Franca; përkatësisht 11 dhe 7 të tjerë janë nga Zvicra dhe Portugalia; pjesa tjetër vijnë nga Belgjika, Austria, Brazili, Kanadaja, Gjermania, Spanja, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Hong Kongu, Lituania, Luksemburgu, Monaco, Hollanda dhe Polonia.

Një pjesë e turistëve dolën nga mjediset portuale për të vizituar qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit, ndërsa autobusët me turistë të tjerë u nisën drejt Tiranës, Krujës dhe Beratit.

“Berlin” ka lundruar natën e kaluar nga Saranda drejt Durrësit, ndërsa në mbrëmje vonë do të vijojë udhëtimin drejt Vlorës.