Në një njoftim për mediat, Drejtoria Ekzekutive e APD njofton se ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e rënduar nga moti i keq i 36 orëve të fundit.

Mjetet e rënda operacionale, dy automjete zjarrfikëse dhe autoambulanca janë në gatishmëri të plotë teknike dhe janë angazhuar jo vetëm në situatat emergjente brenda territorit portual, por edhe në ndihmë të komunitetit qytetar në lagjet periferike të Durrësit.

Bashkë me forcat operacionale, ato të FSPD, Dispeçerisë dhe të Administratës po bashkëpunohet me institucionet brenda dhe jashtë portit, si Prefektura, Kapiteneria, etj.

Nga Qendra e Informacionit mësohet se dy tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur në port sipas grafikut të parashikuar. Po ashtu u ankorua në Terminal edhe trageti "AF Michela" i linjës Ankona-Durrës.

Anija "NS Anxhela" që po shkarkon çimento rinfuzo vijon ti mbajë hambarët e mbyllur për shkak të reshjeve të shiut. Në Terminalin e kontejnerëve po përpunohet pa probleme anija "Contship Vow", ndërsa gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe 5 anije të tjera, dy nga të cilat me kontejnerë dhe tre të tjera me rreth 10 mijë ton mallra të ndryshme.

Sipas Drejtorisë Ekzekutive në 24 orët e fundit në komunikim me Kapitenerinë janë strehuar brenda basenit portual dy anije që ndodheshin në radë gjatë fortunalit të së enjtes. Bashkëpunimi ka vijuar me lehtësimin e hyrjes në port edhe për disa motopeshkatore.

Falë masave parandaluese janë vënë nën kontroll kanalet shkarkuese të ujrave të bardha pranë shesheve dhe kalatave.

Sipas raportimeve të Drejtorisë Ekzekutive  janë zbatuar në kohë dhe me përpikmëri të gjitha kërkesat specifike teknike për kushte të tilla meteorologjike, duke nisur nga blokimi i të gjitha operacioneve të përpunimit nga vinçat portualë, në kushtet e erës së fortë me shpejtësi mbi 15 m/sek. Është kryer në kohë edhe kontrolli dhe sigurimi i vinçave portualë në kalata, në kushtet e rrezikut të motit ekstrem.

Nga të njejtat burime, mësohet se funksionojnë plotësisht të gjithë gjeneratorët e energjisë për emergjencat portuale. Pavarsisht nga luhatjet e tensionit në rrjet në tteritorin e portit nuk ka asnjë problem lidhur me ndriçimin, kamerat e sigurisë portuale ao sistemit IT, mjaft të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës në port.

Në kushtet e rënduara të motit, Drejtoria Ekzekutive thekson gatishmërinë e APD për të vënë  mjetet dhe forcat e saj në dispozicion të të gjitha subjekteve, institucioneve dhe komunitetit në qytetin e Durrësit.