Situata në portet e vendit është në normalitet që prej ditës së djeshme. Në portin e Durrësit po evadohen normalisht pasagjerët dhe mjetet në Terminalin e Pasagjerëve nga tragetet “Rigel III” dhe “Marina” që kanë mbërritur nga Porti i Barit. Gjithashtu, në Terminalin e Kontenierëve po përpunohet anija “CONTSHIP VOW”. Në orën 10:05 ka mbërritur po në orar trageti “Mikela” nisur mbrëmjen e djeshme nga Porti i Ankonës.

Në Portin e Vlorës ka mbërritur sipas orarit të parashikuar trageti “Red Star” me 134 pasagjerë. Ndërkohë që pritet të fillojë edhe përpunimi i anijes së çimentos “Edro 4” nga kalata e përpunimit.

Në Portin e Sarandës ka filluar të funksionojë linja ndërkombëtare Sarandë – Korfuz. Trageti “Xhorxhia” ka mbërritur në orën 09:00 dhe është nisur drejt Korfuzit në orën 10:00. Ndërsa trageti “Santa 2” ka mbërritur në orën 09:15 dhe pritet të niset sipas orarit të paracaktuar në orën 13:00 të ditës së sotme.