*Fillimshtatori solli në kalatën 4 superjahtin me gjatësi 133 metra

Numri i jahteve turistike që janë ankoruar në kalatat e portit më të madh të vendit gjatë 8 muajve të parë të vitit 2018 e ka tejkaluar shifrën vjetore të vitit paraardhës prej 294 jahtesh të ankoruara gjithsej.
Që nga fillimi i këtij viti deri në fund të muajit gusht në portin e Durrësit janë ankoruar 313 jahte.

Ndërkaq, në ditët e para të shtatorit 2018 veç jahteve të tjerë në port, në kalatën 4 u ankorua jahti luksoz “Al Mirqab” me gjatësi 133 metra, një nga më të mëdhenjtë që kanë mbërritur ndonjëherë në Durrës.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se prej më shumë se një viti në Durrës vazhdojnë të ankorohen një numër i madh jahtesh me gjatësi mbi 50 metra, përgjithësisht prodhime të viteve të fundit në kantiere të njohura të botës. 

Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike dhe muzeale të qytetit tonë. 

APD ka marrë masat për të mbështetur me shërbimet përkatëse personelin e jahteve gjatë qëndrimit në portin e Durrësit. 
Koha e qëndrimit të jahteve turistike në kalatat 1-5 të Terminalit Perëndimor (Terminali i Mallrave Gjenerale) arrin në rreth një javë.