Tragetet e linjës Durrës – Bari e kthim gjatë dy muajve të verës do të 2-3-fishojnë lundrimet, për të lehtësuar udhëtimet e bashkatdhëtarëve me punë dhe banim jashtë vendit, të cilët vijnë me pushime pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Kompanitë e lundrimeve në këtë fillim sezoni veror kanë parashikuar shtesa në lundrimet e trageteve në linjat nga porti i Durrësit drejt Barit dhe Ankonës (Itali). Ato kanë programuar ditët e lundrimeve shtesë për portet e Italisë jugore, çka mund të ndryshojë përsëri në ditë të veçanta për shkak të fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve.

Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se në grafikët e kompanive lundruese janë parashikuar lundrime shtesë me një ritëm thuajse të përditshëm. Gjithçka do të fillojë fundjavën e 22-23 korrikut, kur nga Bari drejt Durrësit do të nisen edhe dy tragete shtesë. Sipas grafikut të ri, që nga data 22 korrik deri në fund të muajit gusht tragetet e kësaj linje do të kryejnë 42 lundrime shtesë.

Ndërkaq, edhe në linjën Durrës – Ankona e kthim do të ketë shtesa të shumta të lundrimeve, që i çojnë shërbimet nga dy në pesë ditë në javë. Pas mbërritjes masive të bashkatdhetarëve për pushime pranë famijeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni, në mesin e muajit gusht fillon fluksi i kthimit drejt Italisë.