Në 6-mujorin e parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 279 anije tregtare, në të cilat janë përpunuar 731.158 tonë gjithsej.

Nga Sektori i Statistikave bëhet me dije se, në këto shifra nuk përfshihen volumet e përpunuara me kontejnerë në Terminalin përkatës. Shifra është 22 për qind më e lartë se sa volumi i përpunuar në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, kur me 263 anije gjithsej u përpunuan 595.128 tonë mallra të ndryshme.

Ndërkohë në Terminalin perëndimor (Terminali i Mallrave Gjenerale) dhe në Terminalin Lindor 27.50 për qind e volumit të mallrave i përkasin eksporteve,ndërsa pjesa tjetër, 72.5 për qind janë importe. Sasia e mallrave për eksport në 6 muajt e parë të këtij viti ka patur një rritje të ndjeshme, duke arritur shifrën 201 mijë tonë, ose mbi 137 mijë tonë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2016.

Gjatë periudhës janar-qershor 2017  janë përpunuar 279 anije tregtare dhe 448 tragete gjithsej me afro 1 milion e 800 mijë tonë mallra të ndryshme, ose mbi 123 mijë tonë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Çimento rifuzo, kromi dhe zinku mbeten ndër mallrat e para në listën e eksporteve në këto 6 muaj, ndërsa qymyri koks, skrapi, hekuri, melamina dhe plehrat bujqësore kanë shifrat më të larta të importeve.