Tragetet e linjave Durrës-Bari e Durrës-Ankona-Trieste e kthim, gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti janë shfrytëzuar nga 818.440 udhëtarë gjithsej.

Nga të dhënat statistikore mësohet se shifra e kësaj periudhe është 5 për qind më e lartë se sa ajo e 11-mujorit të vitit 2016, kur tragetet transportuan 776.135 udhëtarë.

Sektori i Statistikave në APD bën me dije, se në këto 11 muaj tragetet janë shfrytëzuar nga 42.305 udhëtarë më shumë se sa në periudhën janar-nëntor 2016.

Një rritje prej 2 për qind ka edhe numri i udhëtarëve shqiptarë, në krahasim me ato të vitit 2016, ndërsa numri i të huajve që kanë shfrytëzuar tragetet në 11 muaj 2017 është 17 për qind më i lartë se sa e njëjta periudhë e vitit 2016.

Tragetet kanë kryer 922 lundrime gjithsej, ose 26 lundrime më pak se sa në periudhën janar-nëntor 2016.

Gjatë këtyre 11 muajve 433.614 udhëtarë janë larguar me tragete nëpërmjet portit të Durrësit drejt Barit, Ankonës dhe Triestes, ndërsa 384.826 të tjerë kanë mbërritur në portin më të madh të vendit tonë.