Në portin e Durrësit është ankoruar mëngjesin e sotëm kroçera “Seven Seas Voyager” me 687 udhëtarë në bord. Anija lundroi gjatë natës nga Argostoli (Greqi) drejt Durrësit, ndërsa pas qytetit tonë do të vijojë drejt Kotorrit (Mali i Zi).

Burime nga agjencia pritëse “Intermed Shiping”, bëjnë të ditur se 472 nga udhëtarët e kroçerës vijnë nga SHBA, 57 nga Britania e Madhe, 37 të tjerë nga Australia dhe 32 nga Kanadaja. Pjesa tjetër janë qytetarë nga 23 vende të botës, si Suedia, Katari, Hungaria, Hong Kongu, Luksemburgu, Holanda, etj.

Anija turistike me gjatësi 206 metra do të ankorohet në kalatën 5 të portit, dhe do të qëndrojë në Durrës deri në orën 18.00. Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se nga 9 – 28 tetor në kalatat 4 dhe 5 do të ankorohen edhe kroçerat “Prinsedam”, “Ocean Majesty” dhe “Serenissima”, të fundit për vitin 2017. Kroçera “Ocean Majesty” do të lundrojë dy herë drejt Durrësit, më 13 dhe 28 tetor.

Ndërkaq, bashkë me “Ocean Majesty” më 13 tetor do të mbërrijë në edhe kroçera “Serenissima”. Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët vizitojnë qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës.