Programi qeverisës, Ambasadorët e vendeve të BE takojnë Beqjan e Haxhinaston

09/07/2013 - 13:02

TIRANE, 9 korrik 2013 – Ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri zhvilluan mesditën e sotme një takim me Ilir Beqjan dhe Edmond Haxhinaston, të cilët janë përfaqësuesit e grupeve të punës të PS-së dhe LSI-së, të ngarkuar për hartimin e programit të ri qeverisës mes dy partive kryesore të koalicionit që rezultoi fitues në zgjedhjet e 23 qershorit. 

Takimi i organizuar nga ambasadori i BE-së Ettore Sequi ka nisur që prej orës 11:00 dhe ka zgjatur rreth 2 orë. 

Në përfundim të takimit, përfaqësuesi i PS-së Ilir Beqja bëri të ditur se ambasadorët ishin të interesuar kryesisht për shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe shtyrjen përpara të bashkëpunimit ekonomik të vendeve të tyre me Shqipërinë. 

“Ambasadorët ishin të interesuar të dinin më shumë për punën e përbashkët që po bëjmë për hartimin e programit qeverisës. Shprehen sugjerimet e tyre. Ishin shumë të interesuar për shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, sistem drejtësie të pavarur, janë të interesuar për të shtyrë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendeve të tyre me Shqipërinë. Ishin të interesuar për klimën e biznesit”- deklaroi Beqja. 

Grupi i punës duket se po ecën drejt hartimit të një drafti të përbashkët, për qeverisjen e majtë në vendin tonë. 

Përfaqësuesi i LSI-së Edmond Haxhinasto u shpreh i bindur se brenda 10 ditësh, PS dhe LSI do të kenë përfunduar një draft të përbashkët, që do të jetë afër versionit përfundimtar të programit qeverisës. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: