Prokuroria: Dritan Dajti vrau 5 vetë

09/07/2013 - 09:30

TIRANE, 9 korrik 2013 - Për Prokurorinë e Krimeve të Rën da nuk ka asnjë dyshim; Dritan Dajti është autor i vrasjes së katër oficerëve të policisë më 7 gusht 2009.

Në dosjen hetimore është ndërtuar i gjithë mekanizmi i ngjarjes së rëndë kriminale dhe si i pandehur në kafazin e hekurt është dërguar vetëm Dritan Dajti, edhe pse ky i fundit, këmbëngul se efektivi i policisë Saimir Duçkollari është ekzekutuar nga një prej kolegëve të tij, konkretisht F.G.

“GSH” boton dosjen hetimore të prokurorisë, si dhe zbardh për herë të parë autopsinë e viktimës Duçkollari, ku rezulton se oficeri i skuadrës speciale operacionale është gjuajtur nga dy drejtime. 
 

Dosja e prokurorisë 

Më datë 07.08.2009, rreth orës 13.50, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës pranë pistës së vogël “Iliria” janë vrarë me armë zjarri punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe shtetasi Ledjon Mara, si dhe janë plagosur shtetasit Dritan Dajti dhe F.SH. Më datë 07.08.2009 Shërbimet e Sektorit të Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje, shtetasit Dritan Dajti. Nga kjo strukturë është organizuar puna për identifikimin, mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtij shtetasi duke hartuar dhe planet e operacionit përkatës. 

Gjatë kryerjes së këtij operacioni për kapjen e personit shumë të kërkuar Dritan Dajti kanë qenë të pranishëm punonjësit e policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, A.Xh, P.L, F.M, P.S, A. M, F.G, A.K dhe P.H. 

Pikërisht në këtë datë këta punonjës policie kanë mbajtur nën vëzhgim të pandërprere në zonën “Iliria”, në lagjen nr.13 Plazh, Durrës, shtetasin Dritan Dajti dhe rreth orës 13.45 minuta kanë konstatuar automjetin e tipit “Volskwagen Touareg” ngjyrë e zezë me targa CR535FR. Pikërisht për këtë automjet ishte marrë informacion se drejtohej nga Ergest Xhoxhi, i cili është kunati i personit në kërkim Dritan Dajti.

Në vendin e parë të mjetit ka udhëtuar shtetasi Ledjon Mara dhe në sediljen e pasme të mjetit ka qenë shtetasi Dritan Dajti. Pas konstatimit të këtij automjeti grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në një moment rreth orës 13.50 min të datës 07.08.2009 ky automjet ka ndaluar në afërsi të kryqëzimit që të çon për tek pista e vogël “Iliria”.

Në këtë moment grupi operacional është afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tre automjetet e tyre dhe më konkretisht me autoveturën tip golf ngjyrë blu brenda së cilës kanë qenë punonjësit e policisë A.Xh dhe P.S. Në automjetin e dytë tip “Ford Fiesta” ngjyrë jeshile kanë qenë punonjësit e policisë Kastriot Feskaj dhe F. Meko. Ndërsa në mjetin e tretë tip “Renault” ngjyrë gri kanë qenë efektivat P.L, F.G dhe Saimir Duçkollari.

Ndërsa punonjësi i policisë Altin Dizdari është afruar tek mjeti “Touareg” me një motor tip “Scuter” ngjyrë bezhë. Sapo janë afruar tek mjeti “Touareg”, punonjësi i policisë Fatos Xhani ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip “Touareg” dhe me thirrjen ndal policia i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit duke e lënë të vdekur atë.

Po nga brenda makinës nga i njëjti person është hapur zjarr me dy armë zjarri ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Saimir Duçkollari. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: