Promovohet vëllimi poetik “Një tjetër diell”

13/01/2012 - 20:49

Në odeonin “Nikolin Xhoja” u prezantua libri i dytë me poezi i autorit durrsak Vaso Papaj

Unë dhe shokët e mi jemi 22 vjeç. Kështu do të shprehej poeti Vaso Papaj para dashamirësve të librit të mbledhur me rastin e promovimit të vëllimit të tij të dytë poetik, “Një tjetër diell”. E theksoi këtë fakt jo për të treguar se poezia shkruhet kur je i ri, pasi ajo nuk ka moshë, por për të nënvizuar se në vitet që pasuan shembjen e regjimit, ai ndihet i rilindur. “Megjithëse poezia tek Vaso erdhi vonë, ajo ka qenë brenda tij dhe një ditë shpërtheu ashtu si shpirti i tij i dallgëzuar”,- u shpreh poeti i njohur Visar Zhiti i pranishëm në takimin e organizuar nga Biblioteka Publike e qytetit dhe Klubi i Shkrimtarëve e Artistëve. Durrsakët kanë pasur gjithnjë një lidhje të pandarë me librin, veçanërisht me atë letërsi që përcjell vlera të vërteta e pikërisht një fakt të tillë e nënvizoi poeti Zhiti kur u shpreh se,- “poezia në këtë qytet nderohet ashtu si nderohet vetë jeta”. Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës, Flora Dervishi, duke u ndalur tek vlerat e poezisë së V.Papajt e quajti atë,- “një poezi të arrirë artistikisht, të pa zbehur nga roli human i artit. Poezi e ndjeshme, mbartëse dhe shprehëse e kohës, e shqetësimit qytetar për përparimin. Hovëzimet e shpirtit apo rebelimet vijnë me mençuri intelektuale. Cikli “Jonian” mendoj se shënon gjetje për poezinë bashkëkohore me një trinitet biblik e didaktik të perceptuar figurativisht, që të fut në mendime dhe kënaqësi estetike”. 

Vëllimi “Një tjetër diell” është libri i dytë poetik i Papajt dhe përmbledh poezi të shkruara të gjitha përgjatë harkut të vitit që sapo lamë pas. Në poezitë e tij, një vend të veçantë zë qyteti i Durrësit, ku ai ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, po ndërkohë një hapësirë të gjerë zënë edhe poezitë e dashurisë. Dashurinë poeti e sheh gjithnjë si “vendstrehimin e tij”, pasi tek ndjenja ai gjen gjithmonë prehjen, mbështetjen e forcën për të jetuar, për të shpresuar, për të ëndërruar. “Vepra e Papajt, vargjet i këndon me një frymë si era, kur ulet në gjinjtë e trëndafilit, i këndon me aromën e zambakëve. I këndon njeriut dhe për njeriun, ndaj bën pjesë në sendërtimin më të bukur të këtij autori. E tëra kjo gjendet në një kolanë të gjelbër e të lartë në qendër të interesit njerëzor”,- u shpreh kritiku Mustafa Spahiu, nga Shkupi, Maqedoni gjatë referatës së tij.

Poezia e Papajt nuk dallohet për format moderniste, por i ngjan një rrëfimi njeriu që shqetësohet për realitetin që e rrethon, për njerëzit që ka pranë, por që njëkohësisht nuk harron atë çfarë ka kaluar. Në shumë poezi të tij, Papaj kthen në memorie një kohë të shkuar, plot me privime ku për një puthje rrezikoje të të shihnin me sy tjetër e madje edhe të të dënonin. Papaj është shumë i ndjeshëm dhe ndaj realitetit të kohës, problematikave të tij sociale, andrrallave të emigrantëve në vend të huaj etj. Në promovimin e librit të Papajt nuk mungoi dhe ish-ambasadori italian në Shqipëri, Paolo Foresti, një mik i vjetër i V. Papajt, të cilit Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve i akordoi titullin “Anëtar nderi”.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: