Pse heshti Durrësi për Shën Terezën?!

05/09/2016 - 14:49

Nga cepi në cep, qyteti është mbushur me lypës, të të gjitha moshave. Të gjithë lypin diçka, për një copë bukë në darkë. Nënat me fëmijët e vegjël në krahë duket se zënë radhë, për të lypur ndërsa qytetarët pinë një kafe buzë detit. Është mbrëmje. Është dita kur Nënë Tereza është shenjtëruar nga Papa Francesku, në Shën Terezë. Ceremonia e dhënë drejtpërdrejti nga Vatikani, të rrëqethte mishtë, ndërsa në skenë janë ngjitur artistë kolosë e sportistë me emër. 

Vras mendjen se po të ishte gjallë, kjo grua trupvogël, a do të kish ngurruar t’u shpërndante një pjatë supë, këtyre të varfërve, që kanë mbushur shëtitoren “Taulantia”??!

Me Nënë Terezën, të gjithë shqiptarët duan të krenohen, me shembullin e mirë të lënë prej saj. Por deri këtu ndalojmë. Të varfrit në lukuni veç sa shtohen në rrugët tona.

E gjithë Bota foli shqip, ndërsa Papa Françesku, nga selia e shenjtë e Vatikanit, lexoi formulën e shenjtë në emrin e Zotit dhe ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza.

Por Shqipëria heshti, ashtu si edhe Durrësi, zakon i keq ky, sa herë që në arenën ndërkombëtare flitet shqip.

Çfarë do të ndodhte nëse Nënë Tereza do të ishte me çfarëdo origjine tjetër, maqedonase, malazeze, kroate, serbe, etj., veçse shqiptare jo? Do heshtnin po kaq turpshëm autoritetet përkatëse?

A nuk do të mobilizoheshin të gjithë strukturat shtetërore, shkollat, qendrat edukative dhe ato kulturore, minimalisht me aktivitete për nder të shenjtores?

Në Durrës, pasditen e 3 shtatorit u çel me urgjencë, dhe jo me seriozitetin e duhur të një organizimi të rëndësishëm, një ekspozitë që tregon jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës nëpërmjet imazheve dhe thënieve të saj. Shumë pak persona ishin të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite, e vetmja veprimtari që u organizua në Durrës nga bashkia e qytetit, në këtë ditë të shënuar. Nga Vatikani shenjtërimi i Nënë Terezës është transmetuar drejtpërsëdrejti  në shumë vende të Botës.

Në Durrës, monitori qëndron në pjesën ballore të bashkisë në sheshin qendror “Liria”. Por nuk pati asnjë lidhje direkte me Vatikanin. Për këtë eveniment botëror që organizohet nga Vatikani, dhe flitet shqip, askujt në Durrës nga personat përgjegjës nuk i ra ndër mend, që duhet të bëhen përgatitje dhe ceremonia e shenjtërimit duhet të ishte drejtpërsëdrejti.

Prej këtij katër shtatori të 2016-s, shqiptarët kanë shenjten e tyre Terezën, para së cilës, mund të luten sa herë kanë nevojë ta bëjnë këtë. Jo vetëm për të mbajtur pastër shpirtin përpara Zotit, dhe njerëzve, por edhe sa herë ndërgjegjja i vret, (për ata që u ka mbetur ende ndërgjegjja, dhe besojnë në Zot).

Për patriotizma me flamur në krahë e në makina duke pirë cola -cola, shqiptarët e kanë treguar veten. E kanë treguar kur fitojnë dhe kur humbasin ndeshje të Kombëtares. 24 orë pas jehonës së ndeshjeve në rrugë mbeten kanoçet e bidonëve të Coca –cola-s, njësoj si patriotizmi i shpërthyer në një ditë. Për Nënë Terezën në Durrës, nuk u ngrit asnjë flamur patriotizmi, nuk u këndua asnjë këngë.

Pavarësisht jehonës së munguar, Nënë Tereza është ndryshe. Ajo është e përunjur. Nënë Tereza është aty midis shenjtëve, është një shqiptare e vërtetë, edhe pse ajo i përket të gjithë Botës.  

Në Sheshin qendror “Liria”, qytetarët u mobilizuan për të parë ndeshjet e Europianit,pas publicitetit të kompanive të birrave, ndërsa qytetarët u dyndën për qofte e birra. Për shenjtërimin e Nënë Terezës nuk u bë asnjë publicitet në asnjë media vizive apo të shkruar, ashtu si për  Botërorin me qofte e birra në shesh.

Shenjtërimi i Nënë Terezës, nuk ka lidhje me kompanitë e birrave, por me një dimension tjetër, atë shpirtëror, që drejtuesit vendorë, ndoshta nuk e njohin sa e siç duhet, ose ndoshta e kanë harruar. Nënë Tereza nuk është biznes fitimprurës, e për këtë arsye, ka motiv që transmetimi drejtpërsëdrejti i ceremonisë mund të “harrohet”.

Të paktën për një ditë, për të kujtuar veprën e saj të mirë, autoritetet duhet të kishin shpërndarë për sevap, gjellë për të varfrit e shumtë që lëvizin rrugëve të Durrësit. Sevapi do t’u mundësonte edhe lehtësimin e ndërgjegjes, pas premtimeve të shumta të dhëna në fushatat elektorale qytetarëve të këtij qyteti. Por edhe sevapi mungoi, se Nënë Terezë vetëm një është e tillë.

Në sheshin para “Sfinksit”, përgjatë gjithë verës kemi parë organizime të ndryshme kulturore, koncerte, sfilata, madje janë vendosur edhe skulptura. Për Nënë Terezën, nuk u zhvillua asnjë aktivitet i tillë, sado modest, veç për të qenë në koherencë me atë që ndodh kudo në Botë. Pa përmendur Indinë apo Kalkutën, aty ku ceremoni të veçanta lutjeje, festa të ndryshme dhe tubime, u zhvilluan për shenjtërimin e Nënë Terezës nga Papa Françesku në Vatikan. Ekrane gjigante për të transmetuar ceremoninë e shenjtërimit ishin vendosur në seli si dhe në vende të tjera në qytet. Presidenti indian, Mukherjee, e quajti Nënë Terezën një Mesia të të varfërve dhe një shtyllë mbështetjeje për të dobëtit dhe të vuajturit, duke shtuar se çdo indian do të krenohej me shenjtërimin e saj.

E gjithë Bota e nderon këtë figurë  madhështore. Në Durrës, qytetarë e turistë bëjnë  foto me Xhon Lenon dhe Tina Turner etj. Një foto me Nënë Terezën e munguar është veç një shembull i mirë. Shembulli i saj i mungon Durrësit, ashtu si edhe shtatorja.

*Opinion

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: