Punon vetëm një ditë, fiton 100 mijë euro

12/03/2014 - 19:27

Francë, 12 mars 2014 – Polemika të forta janë ngritur këto ditë në Francë. Ato kanë pasur për protagonist ish-kryeministrin Dominique de Villepin, shok shkolle me presidentin aktual Fransua Hollande. Sipas fakteve që sjell britanikja “Daily Telegraph”, Villepin është rikthyer shtatorin e vitit të kaluar në shërbimin diplomatik, pas një mungese 20 vjeçare, për të përfituar një pension të majme. Dhe vetëm për një ditë pune ka fituar plot 100 mijë euro. Një fakt ky që ka irrituar jo pak punonjësit e Ministrisë së Jashtme franceze, që si pjesa dërrmuese e popullsisë po përballen me shkurtime të ardhurash dhe rritje taksash, pasi qeveria po aplikon praktikat e kursimit.

Villepin nga ana e tij ka deklaruar se bëhet fjalë për një “gabim administrativ”, por nuk ka bërë të ditur nëse e ka tërhequr ose jo atë shumë. Villepin, nëntorin e kaluar, shiti koleksionin e tij të librave të rralla për 3 milion euro. Ai ka qenë diplomat nga viti 1980 deri në 1993 në Paris, Uashington dhe Nju Delhi. Pasi ideoi dhe udhëhoqi fushatën elektorale presidencial të Zhak Shirakut, nga viti 1995 e deri në maj të 2002 ishte sekretar i përgjithshëm i Presidencës. Më pas u bë ministër i jashtëm, i brendshëm dhe kryeministër. Tani është një biznesmen i suksesshëm. Polemika mbi ato 100 mijë euro përqendrohet në faktin: A kishte vërtet nevojë Villepin për ato para apo do të kishte qenë më mirë që ato të qëndronin në arkën e shtetit?

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

  

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: