Pushtim kuqezi në Marsejë

15/06/2016 - 11:51

Marseja do të ngjyroset kuqezi gjatë ditës së sotme. Të paktën këto janë parashikimet nga të gjitha mediat franceze. Në reportazhe të ndryshme, në portale apo gazetat sportive dhe politike franceze bie në sy interesimi dhe vlerësimi i lartë për tifozët shqiptarë. “Le Dauphine” e krahinës së Marsejës shkruan se “shqiptarët do të jenë si në shtëpinë e tyre në Marsejë”, pasi përveç tifozëve të zakonshëm, në këtë krahinë “zyrtarisht gjenden më shumë se 5000 shtetas shqiptarë rezidentë në Francë”. 

Mediat e tjera kanë theksuar se si tifozët shqiptarë kanë qenë ndër më të vlerësuarit në ndeshjet e para në grupe, pasi kanë dhuruar një koreografi të bukur në stadiumin e Lensit kundër Zvicrës, pa shkaktuar asnjë lloj problemi dhe duke ndryshuar plotësisht mendimin për Shqipërinë. 

“20min.fr”, duke iu referuar ndeshjes së të shtunës, thotë se mbështetësit e Francës, duhet të jenë gati. “Priten 20 mijë shqiptarë të ardhur nga e gjithë Europa në tribuna. Me atë që u pa në Lens, edhe nëse tifozët francezë janë më të shumtë, mund ta humbasim ndeshjen në tribuna”, shkruan ky portal.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: