Plot 11 anije luftarake turke po patrullojnë përqark ishullit që prej vitesh është kthyer në një mollë sherri mes Ankarasë dhe Athinës, dhe këtë lëvizje e përditshmja turke “Huyrriet” e ka titulluar si “Aromë lufte përreth ishullit të Imia-s”.

Polemika pati edhe mes diplomacive të dy vendeve. Ministria e Jashtme turke reagoi duke thënë se Imia është territor turk, por kundërpërgjigja e grekëve nuk vonoi, duke thënë se turqit nuk e njohin gjeografinë. Përshkallëzimi i marrëdhënieve solli edhe reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Zëdhënësja e sekretarit Tillerson tha se ShBA-të njohin sovranitetin e dy vendeve sipas traktateve ndërkombëtare, duke u bërë thirrje palëve të ulin tonet e t’u rikthehen normalitetit, shkruan RTM.

Kryeministrat e dy vendeve, Jëlldërëm dhe Cipras, zhvilluan një bisedë telefonike për të qetësuar situatën tejet delikate.

Tensionet në Egje u ndezën pas paralajmërimit të ashpër të presidentit turk, Rexhep Taip Erdoan, ndaj Greqisë e Qipros, për shkak të disa kërkimeve për gaz pranë ishullit të Qipros.

Turqia kundërshton kërkimet që po kryen në një zonë detare që Ankaraja pretendon se i përket autoriteteve turko-qipriote. Por qeveria greko-qipriote pretendon se ka të drejtën sovrane për të kryer kërkimet për gaz në ato ujëra.