Lidhja e Biznesit të Veshjes së Gatshme Greqi i bëri sot thirrje qeverisë greke të hapen kufijtë tokësorë me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë Veriore.

Duke u referuar në fazën e përgjithshme të lehtësimit të masave, “SEPE” ka kërkuar të lejohen të kalojnë pa karantinë para 15 qershorit profesionistët e bizneseve anëtare të Lidhjes në këto vende. Ndalimi i qarkullimit për shtetas grekë e të huaj që drejtojnë apo punojnë mes dy vendeve në biznese kryesisht eksportuese, dëmton rëndë sektorin duke thelluar krizën e madje kërcënuar mbijetesën.

Nga ana e tij, kryeministri grek Micotakis ka theksuar sot se përderisa ecuria e pandemisë e lejon, kufijtë tokësorë të Greqisë do të hapen gradualisht për të gjithë turistët e lejuar, deri më 15 qershor.

SEPE i drejtohet me letër të hapur 4 ministrave të Greqisë, të Ekonomisë, Zhvillimit, Mbrojtjes së Qytetarit dhe ministrit plotësues të kryeministrit.