Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka kërkuar Kuvendit zgjatjen e gjendjes së krizës edhe për gjashtë muajt në vijim.

Ky vendim vjen për të përballuar në mënyrë sa më efikase pandeminë dhe për të mbrojtur sa më shumë shëndetin e popullatës. Qeveria e miratoi këtë vendim me kërkesë të Komitetit Drejtues të Krizave, organ ky që po menaxhon dhe situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut pas shpalljes së gjendjes së krizës më 20 nëntor.

Kërkesa e qeverisë pritet të votohet nga Kuvendi jo më larg se data 19 dhjetor.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se të hënën janë regjistruar 29 viktima të reja me COVID-19 dhe 1.069 persona të infektuar, ndërsa numri i të shëruarve brenda një dite ka shkuar në 1.242

Kjo është hera e parë, në tre muajt e fundit, që numri i të shëruarve është më i madh se i të infektuarve. Në Klinikën Infektive dhe qendra të tjera spitalore janë duke u trajtuar mbi 1.300 persona, shumë prej të cilëve në terapi intesive. Nga Ministria e Shëndetësisë, është deklaruar më herët se masat që janë në fuqi kanë nisur të japin efekt kundrejt rasteve ditore të vdekjeve të shënuara nga COVID-19.

Sipas raportit, në Maqedoninë e Veriut deri më tani me COVID-19 janë diagnostikuar 62.945 persona dhe prej tyre 1.792 e kanë humbur jetën, 40.188 janë shëruar ndërsa 20.964 janë raste aktive.