Mbajtja e 1 minute heshtje për Kostandino Kacifan javën e shkuar në parlamentin grek, me iniciativë të nënkryetarit Nikita Kaklamani, bëri që këtë të hënë kryetari Nikos Voutsis të mblidhte Konferencën e Kryetarëve. Në një prononcim për mediat pas kësaj mbledhjeje, kreu i parlamentit grek tha se kishte pasur diskutime për nismën e nënkryetarit.

Sipas Voutsis, ky episod duhet të ishte shmangur, pasi sipas tij, pozicioni i të gjitha forcave politike tashmë është i ditur. Ai shprehu ngushëllimet për familjen e Kacifas, por shtoi se vrasja e tij është duke u hetuar nga autoritetet shqiptare.

“Çdo parti ka shprehur qëndrimin e saj të qartë. Duke qenë se pozicionet e partive janë të njohura, asnjë iniciativë e tillë nuk duhej të ishte ndërmarrë”, tha Voutsis.

Kreu i parlamentit tha se për këtë ranë dakord të gjitha palët, me përjashtim të Agimit të Artë. Megjithatë, edhe Demokracia e Re doli në krah të nismës së nënkryetarit të parlamentit grek.

Për politikanin grek Thanasi Pafilis, mbajtja e një minute heshtje nuk mund të vendosej në mënyrë të njëanshme pa konsultime mes palëve. Ai u shpreh se vrasja e Kacifas shfrytëzohet nga nacionalistët në Greqi dhe Shqipëri.

Megjithatë, diskutimet duket se nuk e bindën nënkryetarin Kaklamani, i cili doli në mbrojtje të vendimit të tij duke u shprehur: “Ju po diskutoni për një të vdekur, kurse unë po flas për një person të vrarë”.