Maqedonia e Veriut nga fillimi i muajit maj do të nisë me lehtësimin e masave shtrënguese kundër koronavirusit.

“Ne po bëjmë një plan serioz, që pas 1 majit të nisim me lehtësimin e disa prej masave, të cilat do të jenë në funksion të kthimit të jetës në normalitet”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski, i cili së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipce, dhe disa ministra të tjerë mbajtën konferencën e parë për media përmes një platforme interneti pasi të gjithë janë në vetizolim shtëpiak.

Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipce, ka dhënë vlerësime pozitive për masat që janë ndërmarrë në luftën kundër koronavirusit, por që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen deri në kapërcimin e gjendjes së rëndë. Por, ai ka bërë të ditur se edhe pas lehtësimit të masave do të kërkohet kujdes maksimal dhe përgjegjësi nga secili prej qytetarëve.

“Dua të informoj qytetarët se pas stuhisë vjen dielli. Është e qartë se pas gjithë kësaj jeta e secilit prej nesh, e të gjitha institucioneve, do të ndryshojë … edhe kur të lehtësohen masat, kuptohet se tregjet, restorantet dhe kafenetë do të punojnë në një distancë, do të punojnë me kujdes. Nuk do të jetë më njësoj, por unë besoj se të gjithë qytetarët tani më janë të vetëdijshëm për atë që po bëjmë, që këtë gjendje ta përballojmë në mënyrë që mbi të gjitha të ruajmë shëndetin”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce.

Në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë orëve të kaluara janë regjistruar 53 raste të reja me koronavirus, por për herë të parë nuk janë regjistruar viktima, që mbeten në shifrën e 49 të vdekur. Ndërkohë, numri i të infektuar ka arritur në 1170.

Në Kumanovë, qytetin më të goditur janë regjistruar vetëm nëntë raste, që gjithashtu është numër i ulët në krahasim me ditët e kaluara. Qyteti me numrin më të madh të të infektuarve është Shkupi me 401 dhe pastaj Kumanova me 320 të infektuar.

Sipas raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë 24 orëve të fundit 77 persona kanë shkelur orën policore dhe 46 prej tyre janë shoqëruar në polici./REL