Autori i publikimeve të dhjetëra përgjimeve të krerëve të BDI-së në rrjetet sociale "El Cheka" i ka drejtuar një mesazh kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, lidhur me të dënuarit për rastin "Kumanova" Sami Ukshini, Valdet Zekaj e Shefqet Hallaqi.

Ai thotë se ka informacione të sigurta se ndaj tyre po organizohet një komplot dhe paralajmëron Zaev se nëse u ndodh diçka në burg atyre kjo do të shënonte dhe fundin e epokës së tij.

"Vëllezërit tanë Sami Ukshini, Val Zekaj dhe Shek Hallaqi kanë më shumë nevojë se asnjëherë për lutjet tona, pasi siç kam marrë disa informata drejtpërdrejt nga një i punësuar në Prokurorinë e Shkupit, se tre vëllezërit tanë duhet të jenë më vigjilent se kurrë në burgun ku po e vuajnë dënimin", shkruan El Cheka i cili mëngjesin e sotëm ka publikuar përgjime të reja.

Ai i ka porositur shqiptarët që të mos konsumojnë ushqimin që u jepet në burg dhe të mos i lëshojnë qelitë e tyre, por të qëndrojnë të bashkuar, sepse diçka po përgatitet kundër tyre.

"Zoran Zaev duhet ta ketë të qartë se nëse u ndodh diçka mbaron historia e Zaevëve dhe Ahmetit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre. Publikimi i “bombave” të reja do të bëhet gjatë orëve të mëngjesit, sepse sot kemi patur pengesa të shumta", ka shtuar El Cheka në statusin e tij të publikuar në Facebook.

Ai i kërkon kryeministrit Zaev të marrë masa dhe të organizojë një hetim ndërkombëtar pasi në të kundërt do të njoftojë "bombën" për rastin e "Sopotit" dhe afati që i "jep" për një hetim ndërkombëtar dhe marrjen e masave zotit Zaev është 62 ditë.

El Cheka, i cili ka lindur në Kërçovë, aktualisht jeton në Çikago dhe gjatë ditëve të fundit ka publikluar me dhjetëra përgjime në rrjetet sociale.