Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha për mediat greke se marrëdhëniet e tensionuara mes Greqisë dhe Turqisë, thashmë janë pjesë e së kaluarës. Mendohet se vizita e tij dy ditore në Athinë do të përmirësojë marrëdhënien që shpesh ka qenë e ftohtë midis aleatëve të NATO-s.

Sipas Euronews marrëdhëniet e Turqisë me BE-në dhe SHBA gjithashtu pritet të diskutohen.

“Është një përpjekje në emër të presidentit turk që të reduktojë tensionet me Bashkimin Evropian, pasi ekonomia turke është shumë e varur nga kapitali evropian dhe ashtu siç ai (Erdogan) sheh që marrëdhëniet me SHBA mund të marrin një perspektivë negative, mendoj se Erdogan, siç thashë më parë, ka ardhur në përfundimin se ai nuk mund të mbajë më të njëjtin qëndrim”, tha Drejtori i Kërkimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Panteion, Konstantinos Filis.

“Nëse vendos të sulmojë BE-në dhe SHBA-të nga një kryeqytet evropian, atë të Athinës, atëherë kjo do të krijojë një problem shumë serioz për qeverinë greke, sepse qeveria greke do të duhet të përgjigjet”, shtoi ai.

Çështjet e ndërlikuara rajonale në rendin e ditës do të përfshijnë ishullin e Qipros, i cili është ndarë që nga viti 1974, sovranitetin në Detin Egje dhe një marrëveshje të arritur me Turqinë për të ngadalësuar rrjedhën e emigrantëve në BE.