Flamuri i Maqedonisë së Veriut tashmë është ngritur në selinë e NATO-s në Bruksel, ku u shënua kështu aderimi i vendit në Aleancën Veriatlantike. Pas ceremonisë, kryeministri teknik Oliver Spasovski tha se vendi po i bashkëngjitet Aleancës më të fuqishme të sigurisë.

“Flamuri i Maqedonisë së Veriut është simbol i sigurisë dhe prosperitetit të vendit tonë. Me të vërtetë ne sot po zhvillojmë një betejë tjetër, betejë me virusin korona por për një moment do të ndalemi dhe do të festojmë. Sot është një ditë që do të mbahet mend, ditë e historisë, ditë kur flamuri ynë iu bashkëngjit atyre të aleancës veriatlantike. Aleancës më të madhe të sigurisë në historinë e njerëzimit”, tha Spasovski.

Ceremonia e ngritjes së flamurit u mbajt njëkohësisht në të njëjtën kohë edhe në selinë e Komandës së Bashkuara për Operacione (Shape – Mons) dhe në selinë e Komandës së Bashkuar të NATO-s për transformime në Norfolk, Virxhinia.