Alarmante situata edhe në Greqi nga epidemia e gripit që ka përfshirë vendin. Shkon në 39 numri i viktimave të moshave nga të mitur deri në 90 vjeç. 20 persona kanë humbur jetën nga komplikacione të gripit vetëm javën e fundit. Mes viktimave dhe dy fëmijë, një foshnje 15 muajsh dhe vajzë 6 vjeçare, si dhe njerëz të rinj, të moshave 25, 34 dhe 39 vjeç.

Të gjitha viktimat janë nga grupet e përfshira në vaksinimin e detyrueshëm, sipas udhëzimeve  të qendrës greke për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. 

Njëkohësisht, këtë javë kurohen në gjendje të rëndë 165 pacientë në klinikat e reaminacionit të vendit. Qendra përkatëse thekson se epidemia ishte e pritshme, pavarësisht se sistemi nuk kishte mjaftueshëm vaksina në tregun farmaceutik për të përballuar kërkesat emergjente, duke shkaktuar një kaos të vërtetë.

50.000 vaksinat ekstra u shpërndanë në farmacitë greke vetëm brenda 3 ditëve të fundit. Sivjet vihet re një rritje e ndjeshme e të prekurve nga virusi i gripit H1N1 ndërkohë që akoma edhe gripi sezonal A në kombinim me probleme të tjera shëndetësore, është kërcënues për jetën e pacientëve, theksohet në udhëzimet e Qendrës greke për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve, në thirrjen për vaksinim, pasi epidemia pritet të zgjasë deri në fund të marsit.