Sezoni turistik në Greqi do të hapet më 15 qershor ka njoftuar kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis duke shtuar se fluturimet ndërkombëtare do të rifillojnë më 1 korrik.

“Periudha e turizmit fillon më 15 qershor. Hotelet sezonale mund të rihapen, dhe fluturimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare në destinacionet tona turistike gradualisht do të fillojnë nga 1 korriku”, tha Mitsotakis në një fjalim televiziv.

Zyrtarët e shëndetit do të bëjnë teste të koronavirusit në aeroport por me kampionime dhe jo për të gjithë udhëtarët.

Greqia ende është duke u rimëkëmbur nga një krize financiare në të cilën ishte zhytur rreth dhjetë vjet më parë. Të hyrat nga turizmi llogaritet se mbushin një të pestën e ekonomisë së saj. Për të tërhequr vizitorët, taksa e transportit për pesë muajt e ardhshëm do të ulet në 13 për qind nga 24 për qind sa është aktualisht, raporton AFP.

Për shkak të pandemisë, Greqia mund të përballet me një tkurrje ekonomike deri në 13 për qind.