Hungaria konfirmon shqyrtimin e kërkesës për azil, Shkupi kërkon ekstradimin e Gruevskit

14/11/2018 - 18:59

Hungaria konfirmoi këtë të mërkurë marrjen e kërkesës për azil nga ish-kryeministri i arratisur maqedonas, Nikola Gruevski, një ditë pasi ai njoftoi përmes rrjetit social Facebook se kishte vendosur të largohej për shkak të dënimit me burgim për abuzim me pushtetin.

Budapesti zyrtar njoftoi se do të marrë në konsideratë aplikimin e Gruevskit, i cili ka dominuar skenën politike në Maqedoni për afro një dekadë deri në vitin 2016, në një lëvizje që padyshim do ta irritojë Shkupin, që nga ana e tij ka lëshuar një urdhërarresti ndërkombëtar për ndalimin e ish-kryeministrit, pasi ai nuk u paraqit përpara autoriteteve të drejtësisë për të vuajtur dënimin me dy vite heqje lirie.

Zyra e kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se Gruevski “kishte dorëzuar kërkesën për azil” dhe se kishte deklaruar se synon “të dorëzojë edhe një kërkesë për statusin e refugjatit në Hungari”.

“Duke qenë se ai ka qenë kryeministër i vendit të tij për 10 vite, për shkaqe sigurie, autoritetet hungareze kanë lejuar zotin Gruevski të dorëzojë kërkesën për azil dhe të dëgjohet në selinë e Zyrës së Emigracionit dhe Azilkërkimit në Budapest”, shtohet më tej.

Budapesti zyrtar refuzoi të zbulonte detaje mbi vendndodhjen e Gruevskit, apo sesi ky shtetas maqedonas, të cilit i është hequr pasaporta, hyri në Hungari.

Konfirmimi vjen një ditë pasi Gruevski tha se ishte larguar për në kryeqytetin hungarez. “Jam në Budapest tashmë, ku kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze”, shkroi 48-vjeçari në faqen e tij në Facebook. Shkupi i ka bërë thirrje Budapestit të mos ia plotësojë atij kërkesën.

Të mërkurën, kryeministri maqedonas Zoran Zaev i bëri thirrje Hungarisë “të respektojë praktikat ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”, e të mos ofrojë “mburojë refugjati për kriminelët”.

Në të kaluarën, Gruevski, një kundërshtar i thekur që Maqedonia t’i bashkohej Bashkimit Europian dhe NATO-s, kishte lënë të kuptohej se ishte “mik” me kryeministrin hungarez Viktor Orban. Që të dy ata kanë akuzuar miliarderin liberal amerikan, George Soros, për nxitje të emigracionit të paligjshëm, pretendime që vet Soros i ka hedhur poshtë.

Aplikimi i Gruevskit do të testojë vullnetin e Budapestit për të aplikuar rregulla të ashpra për azilantët, si dhe masa të ashpra antiemigracion, si për shembull gardhet me tela me gjemba në kufi, apo kampet e paraburgimit për azilkërkuesit, gjë që kanë shkaktuar kritika të ashpra nga kundërshtarët e Orbanit brenda dhe jashtë vendit, përfshi edhe nga Brukseli.

Por, Budapesti këmbëngul se dëshiron të ruajë marrëdhëniet e mira me Shkupin.

“Ne nuk duam të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në çështjet e brendshme të shteteve sovrane, ndaj ne konsiderojmë vlerësimin e kërkesës për azil nga ish-kryeministri maqedonas si një çështje thjesht ligjore”, shkruante qeveria në një deklaratë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se ka drojë për dëmtim të procesit të zbatimit të plotë të “Marrëveshjes së Prespës”.

Athina zyrtare reagoi ashpër kundër vendimit të qeverisë shqiptare për të shndërruar në zona turistike disa hapësira përgjatë bregdetit V

Presidenti i Serbisë dhe i Partisë Progresive Serbe (SNS), Aleksandër Vuçiç tha se nuk do të plotësojë asnjë kërkesë të opozitës, sado që

Mediat greke çdo ditë publikojnë detaje lidhur me ngjarjen makabre e cila shkaktoi jo pak zemërim në popullin grek. Këtë herë media greke

Këngëtarja serbe, Ceca Raznatoviq do të mbajë një koncert në Mitrovicë të Kosovës më  8dhjetor në orën 12, sipas portalit serb "Telegrafi

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka folur për arratisjen e ish-paraardhësit të tij, Nikolla Gruevski.

Dhuna, bombat molotov e zjarri kanë shoqëruar protestat e grekëve në 10-vjetorin e vrasjes së 15-vjeçarit Aleksis Grigoropulos.

Përplasja në distancë mes dy ministrive të Jashtme, asaj shqiptare dhe greke ka gjetur pasqyrim të gjerë dhe në shtypin grek, shkruan

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic sugjeroi të mërkurën se çdo krijim i një ushtrie në Kosovë mund të provokojë një ndërhyrje ushtarake

Një gjykatë në Shkup i shqiptoi masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, ish-drejtorit të shërbimit sekret maqedonas, Vladimir Atanaso