PRISHTINE– Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson vlerësoi se platforma e Serbisë për Kosovën është pengesë për dialogun në mes të Prishtinës e Beogradit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ajo tha se është shumë e rëndësishme që kryeministri Hashim Thaçi merr këshilla dhe ide edhe nga përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, me të cilët rregullisht konsultohet rreth bisedimeve me homologun e tij serb Daçiq.

“Qeveria ime është plotësisht e fokusuar në dialogun, i cili nën ombrellën e BE-së po zhvillohet në Bruksel. Edhe qeveria kosovare është përqendruar në të. Jemi dëshmitar të disa rezultateve të mira të cilat kanë dalë nga ky dialog gjatë këtij viti, ndërsa shpresojmë që ato t’i kemi edhe gjatë vitit të ardhshëm në disa çështje të rëndësishme. Çfarëdo iniciative tjetër, sikur që është platforma, është pengesë”, tha ambasadorja amerikane.

Ajo shpreson që dialogu do të sjellë deri te normalizimi i raporteve në mes dy shteteve. “Konsideroj se dialogu po shkon drejt zgjidhjes së ardhshme që do të sjellë deri te stabiliteti i vendit, deri te investimet e huaja për një zhvillim ekonomik, do të sjellë deri te ndryshimet pozitive në jetën e njerëzve të thjeshtë, të cilët në njëfarë mënyre janë peng të kësaj situate që kemi”.

Diplomatja amerikane tha se është arritur përparim në sundimin e ligjit në Kosovë dhe se SHBA-ja është shumë krenare me rolin që ka pasur në këtë progres.

Jacobson është shprehur krenare edhe me partneritetin afatgjatë me Kosovën dhe raportet e mira me pakicat në Kosovë.

“Planifikojmë të vazhdojmë me këtë bashkëpunim. Ndonëse, ende nuk e kemi buxhetin për vitin 2013, nuk pres të kemi ulje serioze të mjeteve, sepse përkushtimi ynë për Kosovën është rezultat i koncensusit të Kongresit dhe Administratës”, tha Jacobson.