Kaos dhe dhunë për të dytën ditë radhazi në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës, kurse AP raporton për dhjetëra të plagosur. Përpara parlamentit pati përplasje të dhunshme.

Edhe pse presidenti Aleksandar Vuçiç u tërhoq nga plani i tij për të vendosur izolimin për shkak të koronavirusit, njerëzit dolën sërish në rrugë. Ata e akuzojnë presidentin Vuçiç se përdori pandeminë për të çimentuar pushtetin personal, teksa lejoi mbajtjen e zgjedhjeve, ku nuk mori pjesë opozita.

Mijëra veta u hodhën të martën mbrëma në protesta në Beograd pas njoftimit të presidentit serb për rivendosjen e masës së ndalimit të lëvizjes gjatë fundjavës në kryeqytet, për shkak të situatës së përkeqësuar me COVID-19.

Në muajin mars Serbia ishte ndër vendet më masat më të ashpra kufizuese në përpjekje për të penguar përhapjen e infektimeve. Por në muajin maj ajo u rihap edhe për shkak të fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Partitë opozitare, një pjesë e të cilave bojkotuan zgjedhjet e 21 qershorit, kritikuan presidentin serb se po e përdor mbylljen për të forcuar atë që ata e quajnë sundim autokratik.