Mijëra qytetarë dhe shtetarë të Serbisë i bënë homazhet të dielën patriarkut Irinej, kreut të Kishës Ortodokse Serbe, i cili ndërroi jetë pas infektimit me Covid-19.

I pranishëm në homazhe, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, theksoi se Kosova ishte shqetësimi i tij më i madh.

“Edhe pse një pjesë të jetës e kaloi në Prizren, u soll në mënyrë racionale dhe me mendje të ftohtë. Kërkonte mënyra për ta mbajtur Kosovën brenda Serbisë, apo së paku që të mos pranohej pavarësia e saj, duke e kuptuar realitetin dhe gjithë gabimet historike që ne, si popull, bëmë.”, tha ai.

Kleriku 90-vjeçar mendohet se e barti virusin në një ceremoni mortore në nder të ish-kolegut të tij që po ashtu vdiq nga koronavirusi, por ku rregullat e nevojshme të sigurisë nuk u respektuan.

Trupi i patriarkut u varros në fundjavë brenda kubesë së kishës, pas tri ditë zie kombëtare. Ai konsiderohej një klerik i moderuar për çështjet e fesë, por edhe nacionalist kur bëhej fjalë për qëndrimet ndaj shteteve fqinje ndaj të cilave Serbia ka pretendime territoriale.