Mali i Zi përkrah çdo opsion që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ideja e korrigjimit të territoreve, “nuk është ideja më e mirë”, tha sot në Prishtinë, ministri i Jashtëm malazez Sërgjan Darmanoviç.

"Ne e shohim një dialog intensiv, i cili kohë pas kohe është ndërprerë me mospajtime politike. Shohim se ka koncepte të ndryshme rreth zgjidhjes. Njëri nga konceptet është për korrigjimin e territoreve. Ne nuk përzihemi në çështje të brendshme ndërmjet dy vendeve. Kemi disa brenga rreth mundësive për korrigjim të territoreve.

Kjo nuk është ideja më e mirë, por nëse kjo është e mirë për fqinjët tanë dhe ata merren vesh, atëherë do të jetë e mirë edhe për ne. Kështu që e kemi qëllimin më të mirë, që në Ballkan të mbyllen çështjet e hapura. Shpresojmë që Serbia dhe Kosova të gjejnë zgjidhje për marrëdhëniet e tyre", tha Darmanoviq, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij nga Kosova, Behgjet Pacolli.

Ministri Darmanoviç po ashtu tha se zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi, do të nënkuptonte që të dyja vendet ta njohin njëra-tjetrën. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do të kërkojë ndryshimin e kufirit me Serbinë, apo siç e quan ai “korrigjimin” e tij, që sipas presidentit, do të nënkuptonte bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.

Dy ministrat e Jashtëm u pyetën edhe për Marrëveshjen e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, marrëveshje të cilën Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar më 21 mars të vitit 2018. Si për ministrin Pacolli dhe për homologun e tij Darmanoviq, kjo çështje “është e mbyllur” dhe se tani është në dorën e komisioneve ndërshtetërore që të bëjnë delimitimin e kufirit.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviç gjatë ditës pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. /REL