Maqedonia do të hapë ambasadën e parë në Athinë dhe konsullatën në Selanik. Ky vendim vjen pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese për emrin.

Me këtë përmbyllet edhe një pikë tjetër e Marrëveshjes me Greqinë dhe dy vendet për herë të parë vendosin themelet e marrëdhënieve zyrtare diplomatike, raporton Alsat-m.

Ndërkohë, paralelisht bëhet një hap me tej në zgjidhjen e ngërçit me emërimin e krerëve në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë në botë.

Tashmë janë dakorduar edhe emrat e shtatë konsujve të cilët pritet të kalojnë filtrat dhe të dërgohen nëpër konsultata.

Zv.ministri i Jashtëm Andrej Zhernovski, shprehet optimist se me zgjedhjen e presidentit të ri, mungesa e ambasadorëve dhe konsujve të Maqedonisë nëpër përfaqësitë diplomatike do të mbetet në të kaluarën.