Maqedonia e Veriut këtë të shtunë është në heshtje zgjedhore, një ditë përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Këtë të shtunë votojnë të sëmurët dhe të burgosurit. Të drejtën e votës e kanë mbi 1.640 persona në burgjet e vendit dhe ata në arrest shtëpiak, si edhe 4.540 persona të sëmurë dhe të moshuar të cilët kanë bërë kërkesë për në komisionet komunale.

Zgjedhjet do t`i ndjekin 3381 vëzhgues të vendit dhe 520 të huaj, si dhe 289 përkthyes dhe 60 gazetarë të huaj të akredituar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Ashtu si në zgjedhjet e përgjithshme, edhe në këto presidenciale faktori shqiptar do të jetë faktor thelbësor.

Dy kandidatët fitues të raundit të parë, Stevo Pendarovski i LSDM-së dhe Gordana Siljanovska Davkova e opozitës së VMRO-DMNE-së i kanë bërë thirrje elektoratit shqiptar të mbështesin kandidaturën e tyre.

Ndërsa kandidati shqiptar që nuk arriti të kualifikohet në raundin e dytë, Blerim Reka i ftoi votuesit e tij, të dalin masivisht në votime dhe të shpëtojnë procesin euroatlantik të vendit, çka u vlerësua si përkrahje indirekte për Stevo Pendarovskin.