Zëvendëskryeministri i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov ka përjashtuar çdo mundësi që Sofja të heqë dorë nga kërkesat e saj në raport me Maqedoninë e Veriut, në veçanti në pjesën që ka të bëjë me identitetin e maqedonasve.

“Ne nuk duam që ata të heqin dorë nga identiteti i tyre. Ne duam diçka shumë të thjeshtë: Të jenë të mirë dhe të thonë se identiteti i tyre u krijua kur për të u krijuan kushtet”, ka theksuar Karakaçanov duke aluduar në atë se maqedonasit para vitit 1944 kanë qenë bullgarë apo se para kësaj periudhe nuk kanë ekzistuar si komb.

“Atje (në Maqedoninë e Veriut) edhe sot, përskaj gjithë peripecive të kohë, edhe përkundër terrorit që u vendos pas vitit 1994 në Jugosllavinë e Titos, ka ende shumë njerëz që e quajnë veten bullgarë. Ne kemi një detyrim moral dhe historik ndaj këtyre njerëzve”, ka theksuar Karakaçanov në një intervistë për televizionin bullgar (BTV).

Zëvendëskryeministri bullgar ka thënë se Sofja nuk ka mbyllur dyert e Evropës për Maqedoninë e Veriut, por se maqedonasit duhet të korrigjojnë politikën e tyre, pasi sipas tij, zgjidhja e çështjeve të hapura me Maqedoninë e Veriut është e një rëndësie strategjike.

“Ish-presidenti Petar Stojanov ka thënë se ajo (Maqedonia e Veriut) është pjesa më romantike, por unë do të shtoja pjesën më tragjike të historisë sonë… Kryeministri (maqedonas, Zoran) Zaev dëshiron kompromis, por kur bën një kompromis me politikanët e Maqedonisë së Veriut, ata nuk e shohin atë si një gjest fisnikërie, por si një dobësi. Bisedimet do të vazhdojnë, por Bullgaria nuk e ka ndërmend të ndryshojë ndonjë nga kërkesat e saja”, ka deklaruar zyrtari bullgar.

Por, edhe zyrtarët maqedonas kanë drejtuar kritika ndaj Bullgarisë duke e akuzuar për shkeljen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, të arritur më 2 gusht, 2017. Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA, se plani aksional që ka hartuar Sofja del jashtë kornizës së marrëveshjes.

“Tani disa muaj, sjellja e palës bullgare ka dalë jashtë kornizës së Marrëveshjes (për fqinjësi të mirë)… Propozimi nga pala bullgare ndaj planit tonë aksional nuk i përgjigjet një pjese të kërkesave tona. Ata kanë imponuar edhe ato çështje që kanë të bëjnë identitetin e popullit maqedonas. Ne atë nuk e kërkojmë. Mund të bisedojmë çdo gjithçka tjetër, por sigurisht nuk do të bisedojmë për atë se cilët dhe çfarë jemi”, ka deklaruar Pendarovski.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Sofja përdori veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke i pamundësuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian./REL