Kryeministri maqedonas Zoran Zaev paralajmëron votuesit se dështimi i marrëveshjes me Greqinë rrezikon ta zhysë vendin në kaos dhe izolim ndërkombëtar.

“Dështimi në referndum nuk është alternativë. Jam aq i bindur për suksesin sa nuk marr parasysh zgjidhje tjetër. Por fitorja e Jo-së do të thotë mungesë totale shprese, izolim total të vendit, do të hapë me shumë gjasa një kapitull të ri pasigurie dhe destabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Do të kthehemi në vitet e errëta të së shkuarës”, tha Zaev.

Komentet i bëri për agjencinë e lajmeve AFP, përpara takimit elektoral në mbështetje të marrëveshjes në Kërçovë. Jo vetëm shumica qeverisëse dhe partitë shqiptare, por edhe zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian janë angazhuar intensivisht për të nxitur votuesit maqedonas të mbështesin marrëveshjen për emrin e ri “Maqedonia Veriore” në referendumin e 30 shtatorit.

Të hënën, Shkupin e vizitojnë Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James N. Mattis dhe komisioneri europian për zgjerimin Johannes Hahn. Marrëveshja është kushti thelbësor për integrimin e plotë të Maqedonisë në NATO e BE.