Ministria e  Jashtme greke ka njoftuar se do të fillojë bisedimet me Turqinë, gjatë komunikimit zyrtar ditën e sotme.

“Greqia dhe Turqia ranë dakord për fillimin e ciklit të 61 të bisedimeve  eksploruese midis dy palëve në Stamboll së shpejti”, thuhet ne deklaratë.

Sidoqoftë, njoftimi nuk përcakton se kur do të zhvillohen saktësisht bisedimet mes vendeve. Gjithashtu në deklaratë nuk është specifikuar nëse takimi i delegacionit diplomatik grek, i kryesuar nga ambasadori Pavlos Apostolidis do të zhvillohet para ose pas Samitit të BE, ku do të diskutohet situata në Mesdheun Lindor dhe sjellja agresive e Turqisë.

Marrëdhënia mes Turqisë dhe Greqisë është tensionuar shumë kohët e fundit, ku Turqia këmbëngul se ka pretendime të ligjshme në zonën e diskutueshme të Mesdheut Lindor. Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, gjatë vizitës së tij në Athinë para disa ditësh ,  u shpreh se BE-ja do të vlerësojë mundësinë e një konference shumëpalëshe.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, duke i bërë jehon fjalëve të Michel deklaroi se nëse nga Ankaraja do ketë sinjale të prekshme të vullnetit të mirë, Greqia është gati të ulet dhe të diskutojë me Turqinë mbi temat që kanë sjellë fërkimet e fundit-caktimin e ujërave tona territoriale dhe zonat ekskluzive ekonomike në Egje dhe Mesdhe. Ndërsa Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha më 19 shtator se ishte i gatshëm të takohej me Greqinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi eksplorimin e ujërave të kontestuara në Mesdheun lindor. /protothema.gr