Bashkëshortja e ish-presidentit serb Slobodan Milosheviç, e mbiquajtur shpesh si “Zonja Makbeth e Ballkanit”, ka ndërruar jetë këtë të dielë në Rusi, në moshën 76-vjeçare. Lajmi konfirmohet për agjencinë e lajmeve “AFP” nga një mik i Mira Markoviçit.

“Mund t’iu konfirmoj se Mira Markoviç ndërroi jetë fatkeqësisht”, tha Milutin Mrkonjiç, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Milosheviçit dhe mik i familjes, teksa nuk dha detaje të mëtejshme në lidhjen telefonike me agjencinë franceze. Mediet lokale në Serbi raportojnë se Markoviç ka ndërruar jetë në një spital të Moskës.

Në vitin 2003, Markoviç, e cila njihej për ndikimin e saj të madh te bashkëshorti i saj, u largua nga Serbia ku po ndiqej penalisht për abuzim me pushtetin, teksa dyshohej edhe për kontrabandë cigaresh dhe vrasje politike.

Në 2008-n, Rusia iu dha azil politik asaj dhe të birit, Marko Milosheviç, pasi Serbia lëshoi një mandatarresti ndërkombëtar në emër të tyre, në lidhje me pretendimet për kontrabandën e duhanit.

Slobodan Milosheviçi vdiq në një qeli paraburgimi në mars të vitit 2006, teksa ishte në gjykim për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë, për rolin e tij në luftërat që përgjakën Ballkanin në vitet ’90, nga Srebrenica deri në Kosovë, për t’u ndalur vetëm falë ndërhyrjes së NATO-s.