Biznesmeni shqiptar i njohur në Maqedoninë e Veriut, nënkryetari i Shkupit, Enver Maliqi ka ndërruar jetë ditën e sotme. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët e lartë dhe politikanë të shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talant Xhaferri shkruan në Facebook se Enver Maliqi ishte një humanisti dhe mbështetës i njerëzve ne nevojë.

“Jam thellë i trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi i hidhur për largimin nga kjo botë e shokut tim të dashur Enver Maliqi, nënkryetar i Qytetit të Shkupit, afarist i respektuar, konsull nderi i Meksikës, humanist dhe mbështetës i njerëzve në nevojë. I dashur Enver, ti e doje jetën dhe dije ta çmosh çdo moment të shtrenjtë dhe me zemërgjerësinë që ishte virtyti yt i dalluar, e ndaje pa rezervë çdo çast me familjarët, me miqtë, me bashkëpunëtorët dhe me secilin që pate rastin të takosh dhe të njohësh në rrugëtimin tënd në këtë botë. Të lumtur dhe të bekuar jemi të gjithë që ishim edhe një pjesëz e vogël në përditshmërinë tënde. Kujtimin dhe mallin për ty do e ruajmë në zemër përjetësisht. Prehu më paqe miku im i dashur!”, thekson Talat Xhaferri.

Pë këtë lajm ka reaguar edhe Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokrat për Integrim. Ahmeti thekson se afaristi i njohur Enver Maliqi ishte nënkryetari i parë shqiptar në qytetin e Shkupit.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut, bashkëpunëtorit, humanistit dhe afaristit të mirënjohur shqiptar z. Enver Maliqi, nënkryetar i parë shqiptar i qytetit të Shkupit. Enveri çdoherë do të mbetet në kujtimet tona si një atdhetar dhe humanist i madh i cili me veprat e veta ke lënë shumë gjurmë në vend dhe në rajon. Ngushëllime të sinqerta familjes Maliqi dhe të gjithë miqve, bashkëndjej me ju. U prehsh në paqe Xhaxh!”, thekson Ali Ahmeti.

Për ndarjen nga jeta të biznesmenit të njohur, ka reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj.  Ai e ka quajtur biznesmenin e njohur si “kontribues i madh dhe i vazhdueshëm i çështjeve kombëtare dhe humanist i devotshëm”

“Me pikëllim sot morëm lajmin se ka ndërruar jetë miku ynë, nënkryetari i parë shqiptar i qytetit të Shkupit, Enver Maliqi. Si një ndërmarrës i sukssesshëm në Maqedoni të Veriut, ai asnjëherë nuk ka ditur që të dallojë shqiptarët në bazë të kufijve, por i ka mbështetur dhe ndihmuar kudo që është paraqitur nevoja. Enveri, si kontribues i madh dhe i vazhdueshëm i çështjeve kombëtare dhe humanist i devotshëm, por më së shumti si mik, do të jetë i paharruar dhe do të na mungojë jashtëzakonisht shumë të gjithëve. Ngushëllimet më të thella familjes Maliqi dhe shqiptarëve kudo për këtë humbje të madhe!”, shkruan Hoxhaj.