Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i dhanë fund një raundi bisedimesh në një përpjekje të re për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja palëve.

Ndërmjetësuesja e bisedimeve, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha në një komunikatë se “pati diskutime intensive dhe produktive” dhe “ata janë pajtuar të intensifikojnë punën në javët në vazhdim”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas bisedimeve se “ishte një takim jo i lehtë, por me tone pozitive”. Ai tha se mbetet me shpresë se “do të punojmë në mënyrë progresive dhe do të punojmë për paqe dhe të mos provokojmë njëri-tjetrin, edhe nëse nuk arrihet marrëveshja përfundimtare. E dimë se jemi në një bisedim të një konflikti një shekullor dhe është shumë i ndjeshëm. Por edhe e kaluara jonë historike dhe gjeografike na imponon për marrëdhënie të mira”.

Ai tha se është koha e duhur për të arritur marrëveshje, sepse në të kundërtën të dyja vendet do të humbnin shumë.

“Ky është momentum i duhur dhe përndryshe nëse e humbin këtë momentum do të paguajmë shtrenjtë të dy palët. Sot nuk kemi diskutuar për çështje konkrete, kemi diskutuar për rrugën se si do të shkojmë për rrugën përfundimtare të gjetjes së zgjidhjes për popujt tonë. Jetojmë pranë njëri-tjetrit e njohim njëri-tjetrin dhe duam të ndërtojmë raporte normale”, tha ai, duke nënvizuar se normalizim dhe pa marrëveshje Kosova nuk mund ta realizojë synimet e saj, drejt NATO-së dhe BE-së, e kjo sipas tij vlen edhe për Serbinë.

“Nuk mund të mbesim viktimë të së kaluarës së hidhur, por duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nuk mund të mbesim peng e miteve të së kaluarës por duhet të shikojmë përpara. Në Kosovë e Serbi nuk është patriotizëm të shikohet nga e kaluara, por është të punojmë së bashku për të ardhmen. Shpresoj se Mogherini me ekipin e vet dhe Shtetet e Bashkuara do të mund ta orientojnë drejtë këtë dialog dhe shpresoj që të dyja vendet të jenë fituese”, tha presidenti Thaçi, duke nënvizuar se ndërmjet palëve ekzistojnë probleme të grumbulluara gjatë një shekulli.

“Prandaj nuk jam naiv që të mendoj se do të kemi zgjidhje magjike dhe të menjëhershme për të ardhmen. E di se me marrëveshje do të mund të fitojmë të dyja palët por jam i frikësuar se nëse nuk do të ketë marrëveshje do të humbim shumë, do të lëndojmë të ardhmen evropiane dhe do të mbesim të izoluara. Sepse Bashkimi Evropian nuk do të na pranojë as ne, dhe as Serbinë pa kalimin e këtyre problemeve. Ky dialog ka kaluar kornizat nacionaliste serbo-shqiptare. Shpresoj se Kosova do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u tha medieve serbe se me presidentin e Kosovës ka biseduar hapur për shumë çështje. “Jemi marrë vesh që të gjitha problemet të zgjidhen në paqe, duke respektuar njëri tjetrin dhe duke garantuar sigurinë e qytetarëve, Kemi biseduar që të përqendrohemi në dialog, të tregojmë se mund të zgjidhim problemet e hapura. Kemi biseduar hapur për shumë çështje. Nuk jam shumë optimist por i kemi hapur çështjet. Nuk do të doja të jepja më shumë hollësi”, tha ai duke paralajmëruar vizita më të shpeshta të përfaqësuesve evropianë në rajon por edhe takime më të shpeshta në Bruksel.

Presidenti serb tha se së shpejti do t’i drejtohet kombit të tij “me zgjidhjen për çështjen e Kosovës” dhe se vendimi do t’u takojë qytetarëve të Serbisë. Sipas tij, zgjidhja do të jetë me rëndësi, sepse Serbia sot nuk ka asgjë.

“Dhe këtë asgjë e kemi fituar më 1999, më 2004 dhe më 2008 dhe pastaj atë e kemi vërtetuar më 2010 dhe 2011. Ajo që kërkojmë dhe për të cilën luftojmë është që të kemi diç dhe jo asgjë”, tha ai.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.

Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina. /VOA