Drejtuesit më të lartë të policisë greke kanë dalë këtë të mërkurë në një konferencë për mediat, në lidhje me bllokimin e 700 kilogramëve kokainë që kishte si destinacion portin e Selanikut dhe atë të Durrësit.

Sipas tyre, pastërtia e kokainës së dërguar nga Ekuadori ishte 85%. Ata kanë përllogaritur se vlera e drogës së sekuestruar i kalon 10 milionë euro. Ata kanë zbuluar se ranë në gjurmë të ngarkesës, pas një sinjalizimi nga një shërbim i huaj doganor. Menjëherë kontaktuan me zyrën e DEA-s në Athinë, si dhe me policinë shqiptare.

“Siç e dini në shumicën e rasteve, droga fshihet në “xhepa” të ndërtuar posaçërisht, jashtë kontejnerit, dhe veçanërisht në mekanizmin e ftohjes, ndërsa përdornin të njëjtën kompani transporti dhe të njëjtat kompani të tregtimit të bananeve. Diferencimi ekzistonte vetëm në destinacion, që ishte porti i Pireut, ai i Selanikut ose porti shqiptar i Durrësit”, tha zyrtari i lartë i policisë.

Droga e fshehur në konteinerët me banane është zbuluar në Selanik dhe në Pire, gjatë disa datave, që nga fillimi i Gushtit, duke përdorur ekzamiminin me rreze X-Ray. Në disa raste droga ishte fshehur brenda mureve të konteinerëve, e në disa raste të tjera në motorët e frigoriferëve.

Në vendet ku ishte fshehur kokaina, kishte edhe aparate GPS, me qëllim që dërguesit të dinin në çdo moment vendndodhjen dhe të njoftonin pritësit e ngarkesës. Autoritetet greke e kanë cilësuar gjithë operacionin si një sukses të jashtëzakonshëm dhe kanë bërë të ditur se në pesë porte të vendit kanë instaluar aparate X-Ray, me qëllim që siç thanë t’u heqin çdo shans rrjeteve të krimit të organizuar që të përdorin portet greke për veprimtaritë e tyre të paligjshme.

“Ne jemi të gjithë këtu dhe po punojmë ngushtë për të mbrojtur shoqërinë tonë, qytetarët tanë dhe rininë tonë nga kjo fatkeqësi. Ky është mesazhi që ne u dërgojmë qarqeve të drogës që bëjnë tregti me vdekjen dhe shpresën”, theksoi ndër të tjera zyrtari grek.